Mungojne kushtet...

Mungojne kushtet...

  Besa e Pejës së shpejti do të ketë kapacitetin e stadiumit me 18 mijë shikues. Ndërkaq, reshjet e shiut kohët e fundit kanë rënduar tej mase disa fusha të skuadrave elite të futbollit.

Skuadrat që garojnë në elitë dhe e kanë sadopak infrastrukturën e fushës të mirë, mund të numërohen në gishtërinj.

KEK-u ka fushë të mirë në Kastriot sikurse edhe Hysi në Merdare, por për të tjerat skuadra fushat janë në gjendje pothuajse të mjerueshme.

Njëra prej skuadrave që fushën e ka katastrofë është Ferizaj, që gjatë edicionit vjeshtor vetëm ata e dinë se si kanë mundur t’i zhvillojnë ndeshjet aty që i ngjante sikur një fushë patatesh.

Përveç Ferizaj që ka fushën në gjendje tejet të rëndë, edhe Liria e Prizrenit, Drenica e Skenderajt nuk qëndrojnë aq mirë. Reshjet e shiut në kohën e fundit e kanë rënduar fushën në Prizren, Skenderaj, por edhe të skuadrave të tjera. Edhe stadiumi i qytetit në Prishtinë ka tepër të dëmtuar fushën, por me shpresë së do të rregullohet në një të ardhme të afërt. Ndërkaq, Ballkani i Therandës shpreson se deri në pranverë do të bëjë të gatshme fushën, të cilët ishin të detyruar në vjeshtë të luajnë si vendase në Prizren.

Klubi i futbollit Besa me një traditë të gjatë se shpejti do të bëhet me stadium modern dhe me kapacitet 18 mijë shikues. Valdet Shoshi, trajner tha se gjendja e fushës nuk është aq e mirë, por jo edhe në atë masë të rënduar.

“Fusha nuk është në gjendje edhe aq të mirë. Pas përfundimit të edicionin vjeshtor nuk kemi stërvitur më në këtë fushë, për shkak se kemi ruajtur të mos dëmtohet shumë”, theksoi Shoshi.

Lajmi më i mirë për klubin dhe dashamirët e saj sigurisht është se do të rritet kapaciteti për shikues, por do të investohen në përgjithësi në infrastrukturë.

“Në stadiumin ‘Shahin Haxhislami’ do të rregullohen tribunat e reja. Ky projekt është i komunës në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës. Kapaciteti i stadiumit do të jetë 18 mijë shikues, që do të jetë diçka e veçantë. Krahas rregullimit të tribunave, do të investohet edhe në infrastrukturë të fushës si dhe në teshatore. Është paraparë rregullimi i katër teshatoreve, si dhe të barit në fushë. Do të rregullojnë një stadium sipas standardeve ndërkombëtare’, tha ai.

Sa do kushtojë rregullimi i tribunave dhe në përgjithësi të infrastrukturës?

“Projekti do të kushtojë 6 deri 7 milionë euro. Tash është duke u punuar në fazën e parë, si rregullimi i teshatoreve, ndërsa në fazën tjetër do të punohen në rregullimin e tribunave”, nënvizoi Shoshi.

Edhe fusha e Lirisë e rënduar

 

Stadiumi “Përparim Thaçi” në Prizren para pak ditëve pësoi shembje të tribunës në hapësire deri në 20 metra.

Drejtori i klubit pati deklaruar se dëmi është mjaft i madh, por me shpresë se do të ndërtohet një stadium i ri në të ardhmen, ashtu iu është premtuar edhe nga kryeministri në largim Hashim Thaçi. Në fakt, fusha e KF Lirisë një kohë ka qenë ndër më të mira dhe shumë skuadra kanë pasur kënaqësinë të luajnë aty, por sot është në gjendje të mjerueshme. Reshjet e fundit të shiut kanë dëmtuar shumë fushën, por me shpresë se deri në fillim të edicionit pranveror do të rregullohet.

“Stërvitjet i kemi ndërprerë, ndërsa fusha sa kam informacione është shumë e vështirë.

Besojmë deri në pranverë fusha do të përmirësohet dhe të jetë më e mirë se sa në vjeshtë”, tha Gjinali.

Fusha ndihmëse bëhet park

Kapiteni i Drenicës, Sami Geci, tha se gjendja e fushës “Bajram Aliu” në Skenderaj, është në gjendje më të keqe të mundshme. Sipas tij, askujt tash nuk i intereson që të rregullohet edhe infrastruktura e fushës, por edhe as për klubin. Geci është i zhgënjyer me gjendjen se si është fusha e futbollit në Skenderaj.

“Stërvitjet janë ndërprerë, se në atë fushë me baltë e ujë është vështirë të ushtrohet. Është dashur të stërvitemi më shumë, por kur s’ka kushte sigurisht se ato edhe u ndalën. Tash për tash të gjithë flenë gjumë dhe askujt nuk ia ndien që të punojë për këtë çështje”, tha Geci.

Fusha ndihmëse bëhet park! “Stërvitjet nuk kemi edhe ku t’i zhvillojmë për stinorin pranveror, nëse duam të ruajmë fushën kryesore. Fushën ndihmëse që e patëm, e bënë park të qytetit. Anomali se jo mahi”, theksoi Geci.


Free Web Counter
Free Web Counter