Luli: Ballkani me mbeti borxh

Luli: Ballkani me mbeti borxh

 Kapiteni i deridjeshëm i KF Ballkani, Driton Luli, shprehet se ndarja me skuadrën therandase ka ndodhu pas problemeve të ndryshme financiare dhe organizative në klub. “Në atë skuadër nuk ka asgjë në rregull, së pari mungojnë kushtet elementare për punë. Siç dihet ne stërvitjet i kemi kryer në Rahovec ndërkaq ndeshjet si vendas në Prizren. 

Por me kalimin e javëve gjendja vetëm sa është keqësuar edhe më shumë, dhe filloi të ndihet edhe mungesa e mjeteve financiare”, tha fillimisht Luli. Ish-dhjetëshja e portokalltë më pas ishte edhe më konkret. Ai bëri të qartë se drejtuesit e klubit i kanë mbetur borxh dy rroga dhe, sipas tij, zyrtarët e këtij klubi nuk ishin brengosur fare për këtë çështje. “Në fillim ka qenë më mirë, por me kalimin e javëve filluan të vonohen edhe pagat, ndërkaq premitë, edhe pse të premtuara, fare nuk realizoheshin.
Unë disa herë jam munduar të kontaktoj me drejtuesit e klubit, por ata vazhdimisht janë sjellë në mënyrë të pandërgjegjshëm ndaj neve”, citoi më pas ai. Ballkani në këtë edicion ka zhgënjyer me paraqitje të dobëta duke u renditur në fund të stinorin vetëm në pozitën e parafundit me 16 pikë të tubuara.
Luli e pranon se për këto rezultate faji bie edhe mbi të, por ai pretendon të shfajësohet duke pohuar se kushtet jo të mira për punë kanë ndikuar edhe në rezultate. “Unë kam dhënë maksimumin tim çdoherë, por këtë vit nuk kishim forcë të mjaftueshme. Në javët e para ne ishim më të mirë, por më pas stërvitjet i zhvillonim kryesisht në fusha të futbollit të vogël, e ky fakt ka ndikuar edhe në paraqitjet tona të dobëta” bëri të ditur Luli.

 Më pas ai ka shtuar se pos këtyre problemeve, te kjo skuadër kishte edhe shumë grupime që ndikonin në atmosferën e pakëndshme në klub. “Nuk e di pse u shkaktua kjo gjendje, por sinqerisht aty ka pasur grupime të ndryshme dhe kjo ka bërë që pos papërgatitjeve të mira të kemi situatën edhe më të vështirë”, përfundoi Luli. Me skuadrën e Ballkanit ai ishte bashkuar në vitin 2008, por gjatë stinorit të parë u paraqit vetëm në ndeshjen e parë. Për shkak të kartonit të kuq dhe sjelljeve josportive Luli ishte dënuar me një vit ndalesë nga FFK-ja. Përkundër këtij fakti drejtuesit e klubit nuk hoqën dorë nga ai dhe ia paguan pagën sipas marrëveshjes edhe pse ai ndeshjet i shikoi nga tribuna.

Free Web Counter
Free Web Counter