Hyseni paraqet kushte të reja për Trepçën '89

Hyseni paraqet kushte të reja për Trepçën '89
 Sulmuesi Berat Hyseni ka edhe gjashtë muaj kontratë me Trepçën '89, por për të qëndruar te kjo skuadër ai kërkon kushte të reja. Sulmuesi prishtinas ngul këmbë se nuk do të qëndrojë në klubin mitrovicas me kushtet e parapara në kontratën në fuqi.  

Marrëdhëniet ndërmjet Hysenit dhe drejtuesve të Trepçës '89 janë acaruar paksa pas vendimit të Kryesisë për të dënuar futbollistët pas një humbjeje të pësuar nga Vëllaznimi. Hyseni thotë se Kryesia e klubit ka vendosur ta largojë atë nga skuadra dhe për këtë arsye mund të largohet pa dëmshpërblim. Kjo, sipas futbollistit, i jep të drejta të kërkojë kushte të reja nëse klubi megjithatë vendos ta mbajë. Hyseni iu bashkua Trepçës '89 në fillim të edicionit nga skuadra tjetër mitrovicase, Trepça. 

"Nuk e përjashtoj mundësinë që të vazhdoj të luaj për Trepçën '89 edhe për gjashtë muaj. Por unë do të kërkoj kushte të tjera dhe po ashtu që paraprakisht të bisedoj me drejtuesit e klubit. Kam shumë çka për të biseduar. Nuk kam kurrfarë obligimi që Kryesisë t'ia kthej të hollat. Ndoshta kanë qenë të mllefosur që më dënuan për disfatën që pësuam nga Vëllaznimi. Nëse unë do të kisha kërkuar me vetëdëshirë të largohesha, atëherë plotësisht do të kishin të drejtë t'i kërkonin të hollat. Nëse nuk më lejojnë të largohem dhe nuk më ofrojnë kushte të tjera, unë do të qëndroj gjashtë muaj pa luajtur dhe nuk do të paraqitem për Trepçën '89", ka thënë Hyseni të shtunën. 

Ndërkohë, kryetari i Trepçës '89, Abedin Zeka, mohon që Berat Hyseni, të jetë përjashtuar nga skuadra. Ai thotë se sulmuesi mund të largohet vetëm nëse kthen paratë që mori në fillim të edicionit. Zeka ka përjashtuar mundësinë që të negociojë për kushte të reja. 

"Berat Hyseni mund të largohet vetëm nëse i kthen të hollat. Ai është lojtar i skuadrës sonë. Ka kontratë edhe për gjashtë muaj. Hyseni dhe lojtarët e tjerë janë dënuar për shkak të mosangazhimit në ndeshje me Vëllaznimin. Ai është dënuar, por nuk është larguar nga skuadra", ka thënë Zeka. 
Hyseni për Trepçën '89 ka shënuar dy gola. Më herët ka luajtur për Trepçën, Prishtinën, Flamurtarin dhe disa skuadra në Shqipëri.

Free Web Counter
Free Web Counter