Vllaznimi shpreson

Vllaznimi shpreson

  Vëllaznimi është njëra nga skuadrat që është duke përjetuar krizën më të madhe në këtë edicion në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. Gjakovarët janë futur në një krizë të thellë financiare, gjë e cila ka reflektuar edhe në rezultatet e kësaj skuadre në stinorin vjeshtor. Megjithatë të enjten janë dhënë sinjalet e para për ditë më të mira në këtë klub. Në fakt, për herë të parë që nga përfundimi i stinorit vjeshtor dje është mbledhur kryesia e klubit dhe shtabi teknik i skuadrës për të diskutuar gjendjen aktuale në klub dhe hapat që duhet marrë për të dalë sa më shpejt nga kriza. Menaxheri i klubit gjakovar, Ahmet Morina ka shprehur shpresën se deri në fillim të vitit të ardhshëm do të dilet nga situata tejet e vështirë në të cilën ndodhen kuqezinjtë. “Takimi është zhvilluar me qëllim që të organizohemi sa më mirë për pranverë, ndonëse aktualisht jemi në një krizë të madhe. Kryetari i klubit Agim Koci është duke bërë çmos që ta nxjerrë klubin nga kjo situatë dhe në këtë drejtim është duke punuar së bashku me kryetarin e KK të Gjakovës, Pal Lekaj. Janë tri variante në të cilat po punohet se si të dilet nga kriza, prandaj mbesim me shpresë se njëra prej këtyre do të finalizohet”, ka thënë Morina, pa sqaruar detajet e këtyre varianteve. Ai ka bërë të ditur se klubi u ka nga dy paga borxh futbollistëve dhe stafit tjetër të skuadrës dhe po punohet që këto obligime të kryhen sa më shpejtë. “Kryesia u zotua se do të bëjë çmos që njërën pagë ta kryejë para festës së Vitit të Ri, kurse pagën tjetër para fillimit të përgatitjeve për stinorin pranveror. Po ashtu u pajtuam që të sjellim së paku katër përforcime gjatë afatit dimëror, sepse jemi të vetëdijshëm se me këtë fond që kemi është e vështirë ta përballojmë stinorin pranveror ku na pret një luftë e ashpër për ta siguruar mbetjen në elitë”, ka nënvizuar Morina. Ai nuk ka dhënë emrat e futbollistëve për të cilët kuqezinjtë janë të interesuar, mirëpo ka thënë se janë në bisedime me dy futbollistë. “Në bisedime jemi me dy futbollistë dhe marrëveshja nuk duket e largët, derisa të enjten kemi marrë edhe dy propozime tjera nga trajneri Ajet Shosholli dhe tash do të shohim se sa janë të interesuar ata lojtarë t’i bashkohen klubit tonë”, ka pohuar Morina. Sipas tij nëse premtimet e dhëna nga krerët e klubit do të realizohen, atëherë Vëllaznimin e pret një pranverë shumë më e suksesshme, derisa ka thënë se tash për tash nuk ka ndonjë kërkesë për t’u larguar nga skuadra. “Duket se edhe futbollistët janë duke pritur se çfarë do të ndodh në ditët e ardhshme, por edhe nëse do të ketë kërkesa për largim ne nuk do të qëndrojmë duarkryq, sepse jemi njëra nga skuadrat me përbërjen më të re dhe jemi të vetëdijshëm se pa disa përforcime cilësore nuk mund t’i shmangemi rrezikut për rënie nga elita”, ka përfunduar Morina. Vëllaznimi stinorin vjeshtor e mbylli në pozitën e 9-të, e cila në fund të kampionatit çon në balotazh. Gjakovarët në 17 ndeshje regjistruan pesë fitore, katër barazime dhe tetë humbje.


Free Web Counter
Free Web Counter