Vllaznimi ende pa zgjidhje...

Vllaznimi ende pa zgjidhje...

“Futbollistët e Vëllaznimit nga Gjakova janë duke pritur t’u shlyhen edhe borxhet e fundit që ua ka kryesia. Dy paga pritet që të jepen deri në fundjavën e ardhshme”, tha trajneri gjakovar, Ajet Shosholli.

Situata në klubin gjakovar është e rënduar dhe për asnjë fije nuk është përmirësuar.

Shosholli tha se është optimist se gjërat gradualisht po vijnë në vend të vetin.

Paga e premtuar që të merret para Vitit të Ri nuk është dhënë nga ana e Kryesisë, të cilën gjë e pranon edhe vetë trajneri Shosholli.

“Në fund të vitit 2010 kemi pritur të marrim pagën e premtuar, por Kryesia nuk e ka kryer këtë obligim. Tash i ka edhe dy paga borxh dhe pritet deri në fund të javës së ardhshme të shlyhen ato. Më 14 janar pritet të fillojmë edhe përgatitjet për stinorin pranveror”, tha Shosholli.

Pyetjes që iu bë Shoshollir se në rast se ndodh të mos përmbushen obligimet deri në fund të javës së ardhshme, do të fillojnë përgatitjet apo do të shtyheni iu përgjigj: “Gjasat janë shumë të mëdha që të kryhen obligimet, pra t’u jepen dy paga futbollistëve, kështu janë edhe premtimet nga Kryesia. Përgatitjet do të fillojnë gjithsesi më datën 14 janar dhe nuk ka as të vetmen arsye që të shtyhen”.

Shumë afër marrëveshjes janë me mbrojtës – mesfushorin Robert Gjerajn, i cili edicionin vjeshtor luajti në fanellën e Ballkanit nga Theranda. “Gjeraj të kaluarën ka qenë futbollist i yni për tre vjet më radhë dhe është një mbrojtës – mesfushor i dëshmuar. Përveç përforcimit më këtë futbollist, do të shikojmë mundësinë që të sjellim edhe dy mesfushorë dhe një sulmues”, tha Shosholli.

Rilind Juniku, sulmues, paralajmëroi se mund të largohet nga Vëllaznimi. “Juniku nuk mund të largohet nga klubi për faktin se ka kontratë deri në qershor. Ai është futbollist yni dhe nuk mund të largohet askush që ka kontratë”, tha Shosholli.

Trajneri gjakovar mendon se me potencialin e futbollistëve që ka nuk do ta ketë problem mbetjen në elitë.

Vëllaznimi vjeshtën e përfundoi në vendin e dhjetë me 19 pikë dhe ka ambicie që në edicionin pranveror t’i shmanget kësaj pozite dhe të ngjitet sa më lart në tabelën e klasifikimit.


Free Web Counter
Free Web Counter