Vjen Florimi shkon Valoni...

Vjen Florimi shkon Valoni...

 Kryetrajneri i KEK-ut, Mentor Miftari, tha se patjetër i duhen përforcime në afatin kalimtar dimëror për faktin se ka një fond të varfër të futbollistëve.

Shumë skuadra janë duke menduar të gjejnë futbollistë të lirë dhe pa kontrata që të përforcohen në afatin kalimtar dimëror. Vjeshta për disa skuadra nuk ka qenë aq e bereqetshme, ku kanë pritur të jenë më lart në renditjen e tabelës. KEK-u nga Kastrioti disa javë ka qenë në kreun e renditjes, por nga java e gjashtë e deri te e 17-ta patën batica dhe zbatica dhe si pasojë e kësaj bien në mesin e tabelës së klasifikimit pikërisht në vendin e shtatë me 22 pikë të tubuara.

Mentor Miftari, kryetrajner është ankuar vazhdimisht se skuadra e tij ka pasur fondin më të varfër gjatë vjeshtës dhe me atë fond ishte mbajtur mjaft mirë. Miftari duke e pasur parasysh se ka një fond të varfër të futbollistëve, tashmë është duke hulumtuar tregun dhe të sjellë përforcime. Miftari tha se i duhen dy mesfushorë dhe një sulmues i spikatur.

Një futbollistë është ardhur, por një tjetër është larguar. Valon Bajrami, mesfushor i shquar gjatë vjeshtës vetëm ka firmosur kontratën me klubin e elitës së futbollit shqiptar, Bylis. Miftari tha se largimi i tij ka lënë një zbrazëti në klub dhe i duhet që të gjejë një mesfushorë të fortë që të zëvendësoi pozitën e tij. KEK-u ka arritur marrëveshjen me Florim Sokolin, i cili luan në pozitën e mesfushës dhe vjen nga skuadra e Trepçës 89’ nga Mitrovica.

“Përgatitjet për edicionin pranveror kemi planifikuar t’i fillojmë më 15 janar. Tash për tash jemi duke shikuar mundësinë të përforcohemi. Një përforcim e kemi bërë me Florim Sokolin, por në fakt është larguar Valon Bajrami. Skuadra jonë është duke punuar në drejtim të përforcimeve dhe besoj se do t’i realizojmë ato me sukses”, ka thënë Miftari.

KEK-u është në pozitë të papërshtatshme dhe synon që në pranverë të sigurojë ekzistencën. “Sigurisht se nuk jemi në pozitë të përshtatshme, por do të punojmë me përkushtim dhe me lojëra të mira të arrijmë të mbetemi në shoqërinë elite. E para, të përforcohem dhe të pasurojmë fondin me futbollistë, për çka do të jetë edhe më lehtë t’i realizojmë synimet tona”, ka thënë Miftari.

KF KEK-u me gjithë fondin e palakmueshme që pati në vjeshtë ka treguar lojëra të mira dhe madje ka qenë vazhdimisht rival i fortë për skuadrat e kreut. Drejtuesit e klubit kanë besim të madh në trajnerin Miftari, i cili është i palodhshme dhe me gjithë vështirësitë që pati me numrin e vogël të futbollistëve pati ndërtuar lojë kompakte.

Kastriotasit janë ndër dy-tri klubet në elitë që kanë edhe infrastrukturën më të mirë që i mundësojnë kushte të mira si për zhvillimin e stërvitjeve, por edhe të ndeshjeve kampionale.


Free Web Counter
Free Web Counter