Trajnerët kaluan me sukses testin për Licencën A

Trajnerët kaluan me sukses testin për Licencën A

 Para fillimit të pjesës së dytë të edicionit të futbollit të Kosovës, para trajnerëve vendor do të ligjëroijë instruktori italian, Franko Ferrari, bëri të ditur Ajet Shosholli, kryetar i Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit të Kosovës.

Grupi i njëzet trajnerëve të futbollit nga Kosova, pas tri javësh ligjërata, në fundjavën që e lamë pas iu kanë nënshtruar edhe testit për licencën A. Sipas, Ajet Shoshollit, kryetar i Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit të vendit tonë, të gjithë trajnerët që ishin pjesëmarrës në këtë trajnim e kanë kaluar me sukses testet të cila janë mbajtur në dy forma, atë praktike dhe teorike. “Jemi të kënaqur si nga ligjëruesit po ashtu edhe trajnerët tanë, të cilët kanë qenë të interesuar që të mësojnë të gjitha ato që janë ligjëruar në këtë trajnim. Falë vëmendjes dhe punës së tyre, ata të gjithë në fund u pajisen me Licencën A”, u shpreh Shosholli. Në këtë trajnim, që pos grupit nga trajnerët e Kosovës, ishin edhe dy grupe nga 20 trajnerë nga Shqipëria, përveç trajnerëve shqiptarë, Astrit Maqi, Rauf Dimraj dhe Profit e Ferdinand Canal ligjëruan edhe tre italianët, Franko Ferrari, Ferro Ferreti dhe Mario Mariolle. Shosholli thotë t’i ketë lënë mbresa sidomos mësimet e Ferrarit, për të cilin bëri të ditur se do të mbanë një ligjëratë për të gjithë trajnerët e këtushëm, në prag të nisjes së stinorit pranveror. “Nëpërmjet organizatorit të trajnimit në Shqipëri, ne kërkuam nga Ferrari që ai të mbanë një seminar në Prishtinë, dhe pothuajse kjo është punë e kryer edhe pse ka mbetur që edhe një herë të bisedojmë për ti detajuar gjërat. Shpresojmë që ardhja e tij do t’i ndihmoj edhe trajnerët tjerë të cilët nuk ishin me ne në këtë trajnim”, citoi Shosholli.

Ngjashëm si Shosholli, edhe trajneri i Lirisë, Behajdin Gjinali u shpreh i kënaqur pas mbarimit të trajnimit. “Së pari jemi shumë të kënaqur me ato mësime që i morëm në Shqipëri. Kanë qenë trajnerë me përvojë të cilët na kanë demonstruar për format moderne të punës së trajnerit. Aty morëm përvoja të reja edhe pse për të pasur sukses një trajner duhet të punoj në vazhdimësi. Si rezultat i punës së mirë, në fund i kaluam testet duke u pajisur me Licencën A”, u shpreh Gjinali.

Në fund të këtij trajnimi, u shtrua darka e përbashkët nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), si dhje iu bë shpërndarja e diplomave trajnerëve, nga kryetari i FSHF-së, Armando Duka.

Trajnerët e licencuar

Trajnerët nga Kosova që iu nënshtruan me sukses trajnimit për licencën UEFA “A” janë: Ajet Shosholli, Erdogan Celina, Eroll Salihu, Muharrem Sahiti, Isa Sadriu, Rafet Prekazi, Genc Hoxha, Behajdin Gjinali, Naim Pevçeli, Agim Hasani, Arsim Thaçi, Ibrahim Domi, Afërdita Fazlija, Mentor Miftari, Mehmet Kurda, Blerim Iljazi, Gazmend Haliti, Rexhep Gaxholli, Nazmi Rama dhe Shefqet Sinani.


Free Web Counter
Free Web Counter