Thaqi kryen misionin...

Thaqi kryen misionin...

 Portieri 37 vjeçar Bujar Thaçi, i cili në stinorin e fundit ka mbrojtur portën e KF Ballkani të Therandës, ka paralajmëruar tërheqjen nga loja aktive. Thaçi që hapat e parë të karrierës së tij i ka nisur me skuadrën prizrenase Liria, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin e Kosovës. Ai i ka ndihmuar Lirisë, edhe gjatë viteve 90-ta, kur kjo skuadër ndeshjet si vendas i zhvilloi në fusha të improvizuara. Ndërkaq në edicionet e pasluftës ishte ndër portierët më të dalluar në vend. Thaçi ishte ndër më të merituarit që Ballkani i Therandës pas dhjetë vjetësh iu rikthye kategorisë së parë të futbollit. Ai me të portokalltit ishte bashkuar në edicionin 2009/10, ndërkaq që kishte vazhduar kontratën edhe për këtë edicion. “Unë vazhdova edicion me Ballkanin, por më pas ndodhën pakënaqësitë ndaj kësaj skuadre, dhe më nuk do të luaja për këtë ekip. Sipas të gjitha gjasave do të përshëndetem nga loja aktive”, u shpreh Thaçi. Megjithatë ai tha se do të vazhdoi ende të kryej punën e gardianit të portës, por kësaj radhe në futboll të vogël. “Kam oferta nga skuadra të futbollit të vogël, dhe sigurisht do të kaloi në futsallë, për të vazhduar karrierën e portierit”, tha më pas ai. Megjithatë ai në fund le të kuptohet se ka mundësi që sërish të mbrojë portën e ndonjë skuadre të Raiffeisen Superligës, duke përjashtuar Ballkanin. “Edhe pse kam vendosur që të përshëndetem nga futbolli i madh, nuk do të thotë se ndonjë ofertë e mirë po të vjen, që nuk do të ma ndryshonte mendjen. Kam ende forcë dhe dëshirë të jap kontributin tim. Por në asnjë mënyrë nuk do të kthehem në Therandë”, tha ai. Merret vesh se Thaçi ende zyrtarisht është pjesë e skuadrës së Ballkanit, por atë nuk e mundon fare ky fakt. “Unë dokumentet i kam ende atje, por marrëveshja që kam pasur me atë skuadër më ka kaluar dhe jam lojtar i lirë. Marrja e librezës është vetëm çështje kohe, e nuk është e vërtet që jam lojtarë i tyre”, tha ai. Ndërkaq sipas burimeve mirë të konfirmuara, Thaçit i është ofruar një mundësi e mirë që ai në pranverë të mbrojë ngjyrat e skuadrës prizrenase në futsallë, Feniksi, kampion i parë i vendit në futbollin e parketit. Thaçi është njëri ndër ata lojtarë që u ndanë me therandasit në fund të stinorin vjeshtorë, pas problemeve të shfaqura në atë klub, por që të gjithë vazhdojnë të kenë statusin e lojtarëve të lirë.


Free Web Counter
Free Web Counter