"Teneqja", shpërblimi i vetëm për kampionët

"Teneqja", shpërblimi i vetëm për kampionët

  Pas luftës Kosova ka nxjerrë njëmbëdhjetë kampionë dhe skuadrat që kanë fituar titullin nuk kanë pasur fatin të përfaqësojnë vendin në kupat evropiane për shkak të izolimit të sportit kosovar. Të njëjtat nuk kanë fituar gjë as brenda Kosovës, pos një trofeu, që mund të blihet në shumë dyqane të vendit e që ka vlerën e pak eurove, shkruan sot “Koha Ditore”. 


Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka praktikuar asnjëherë t'i shpërblejë me të holla skuadrat kampione për djersën që kanë derdhur futbollistët e as për investimet që kanë bërë skuadrat.

Kryetari i skuadrës së fundit që fitoi titullin kampion, Trepçës, Nexhmedin Haxhiu, thotë se nuk ia vlen të investosh para për të fituar një titull që nuk të çon askund e që nuk të sjellë asnjë shpërblim. Një skuadër që pretendon të shpallet kampione duhet të ndajë rreth 300 mijë euro për atë stinor. 

"S'e di sa ia vlen që të fitosh titullin e kampionit në Kosovë. Fituam dhe nuk morëm as mirënjohje për këtë punë, lëre më diçka tjetër. Nuk ka llogari të investosh për të fituar titullin kur nuk ke asnjë përfitim. Jemi shumë të dëshpëruar se si nuk të paguhet mundi dhe financimi në sportin e Kosovës. Në vendet e tjera shpërblimi është i madh për kampionët, kurse këtu vetëm një ditë flitet dhe të nesërmen nuk ke përkrahje për asgjë. Shpresojmë që një ditë klubet kosovare do të marrin çmimin e merituar për titullin kampion", ka thënë Haxhiu.

Në fakt, Trepça titullin e kampionit e fitoi pas 17 vitesh pritjeje. Kjo skuadër për herë të fundit titullin e kampionit e pati fituar në edicionin 1992/93. Nga viti 1996 deri në vitin 2005 ka luajtur në kategorinë e dytë të futbollit kosovar. 

Në vendet e rajonit dhe të botës, kampionët marrin shpërblim në të holla, por shpërblimi më i madh i tyre mbetet dalja në kupat evropiane. Aty skuadrat përfitojnë shuma të mëdha, sa nga UEFA ashtu edhe nga të drejtat televizive.

Nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, nuk përjashton që në fund të këtij stinori, kampioni i ri të marrë një shpërblim në të holla, por më se e sigurt, sipas tij, do të jetë stinori 2011\12 kur kampioni do të shpërblehet dhe kjo do të garantohet me rregullore.

"Deri tani ne kemi dhënë vetëm shpërblime simbolike, por nga ky stinor ne do ta rregullojmë që klubet t'i shpërblejmë edhe me të holla dhe dekorime të tjera. Këtë vit ne do të shohim buxhetin e mbledhur nga sponsorët, ndërsa vitin e ardhshëm në fillim të stinorit të ri do të ceket se çfarë shume të të hollave dhe dekorime tjera do të fitojë klubi fitues, qoftë ai i titullit apo fituesi i Kupës. Nuk kemi pasur mundësi deri tani t'i shpërblejmë klubet me të holla, pasi nuk kemi pasur mjete të mjaftueshme financiare", ka thënë Ademi. "Ne kemi bërë aq sa kemi pasur mundësi, pasi ne po mos t'ua kishim hequr kotizimin klubeve sigurisht se do të kishim pasur mjete edhe për t'i shpërblyer edhe me të holla. Komiteti do të vendosë në janar një rregullore ku do të bëhet e qartë shuma dhe shpërblimet e tjera për klubet fituese".


Free Web Counter
Free Web Counter