Suedezët e testuan portierin e Gjilanit, Faton Maloku

Suedezët e testuan portierin e Gjilanit, Faton Maloku

 Gjilanasi Faton Maloku, njëri ndër portierët më të suksesshëm kosovar, i ka hapur dyert e arenës ndërkombëtare të futbollit dhe sipas të gjitha gjasave do të kalojë në Suedi. Përfaqësues nga klubi i atjeshëm Kalmar, për pesë ditë me radhë i kanë testuar aftësitë e portierit të ri kosovar, i cili ka lënë përshtypje shumë të mira tek ta. Sukseset e 19-vjeçarit, në fanellën e Gjilanit, kanë bërë që atij t`i hapen dyert edhe në arenën ndërkombëtare. Gjatë stinorit vjeshtor, Maloku ka pësuar vetëm tetë gola, duke arritur që të jetë ndër portierët më të sigurt në Kosovë.

Ai është optimist për të ardhmen e tij, derisa është kthyer në Kosovë dhe pret thirrjen nga klubi suedez për të vazhduar karrierën atje. “Për pesë ditë me radhë, me trajnerin e portierëve të Kalmarit kam punuar në testimin e aftësive fizike, motorike, teknike, në elemente të portierit dhe në situata të lojës dhe kam qenë pjesë e një ndeshje provuese, ku trajneri suedez mbeti tejet i kënaqur me mua”, ka thënë Maloku. Ai është falënderues edhe ndaj trajnerit Muharrem Sahiti dhe trajnerit të portierëve Sallah Sherifi, i cili për disa ditë me radhë, para udhëtimit për në Suedi, kishte organizuar përgatitje të veçanta për Malokun.

Fatoni qysh në stinorin e tij të parë te Gjilani, ka dëshmuar se është portier me cilësi të larta dhe vlerësohet ndër më meritorët për sukseset e kësaj skuadre në Ligën e Parë. Trajneri Muharrem Sahiti nuk ka asnjë dyshim se skuadra suedeze do t`ia hap dyert Fatonit. “Jam i sigurt se Faton Maloku do ta vazhdojë karrierën jashtë vendit, ngase ka kohë që Gjilani e Kosova, nuk kanë pasur një portier të kalibrit të tij”, ka thënë Sahiti, duke nënvizuar se Fatoni i ka të gjitha tiparet e një portieri të shkëlqyeshëm.


Free Web Counter
Free Web Counter