Pauz absurde..

Pauz absurde..

 Afrim Tovërlani e quan absurde pauzën prej më shumë se një muaji që klubet ua japin futbollistëve të tyre. Trajneri prishtinas për këtë kritikon udhëheqësit e klubeve dhe kolegët e tij, derisa thotë se kjo pauzë e stërzgjatur shkon në dëm të futbollistëve, të cilët pastaj fazën e përgatitjeve duhet ta nisin nga zeroja.

 

Pushimi i stërzgjatur dimëror i dëmton më së shumti futbollistët kosovarë. Ata lirohen nga ekipet e tyre për një periudhë maratonike, një muaj ose një muaj e gjysmë, dhe klubet as që duan t’ia dinë për lojtarët në këtë periudhë. 

A e bëjnë këtë për ta kursyer një ose dy rroga? Apo për shkak se trajnerët nuk kanë plan-program të duhur se si duhet të menaxhohet pauza dimërore para fillimit të sezonit pranveror. 

Njëri prej trajnerëve të njohur kosovarë që u kushton më së shumti rëndësi ushtrimeve, përkatësisht fitnesit, është Afrim Tovërlani. Ish trajneri i Prishtinës dhe i Trepçës ’89 insiston se periudha mjaft e gjatë e pushimit është absurde. 

“Sipas meje, është katastrofale se çka bëjnë shumica e trajnerëve kosovarë dhe kryesitë e klubeve. Ata nuk mendojnë më shumë për futbollistët. Është mëkat se si i lëshojnë ata kur të përfundojë sezoni. Në këtë mënyrë tregohet serioziteti i tyre dhe se në çfarë duarsh ka mbetur futbolli i këtushëm. Trajnerët shpesh flasin përralla dhe nuk mendojnë për këtë aspekt. Por, ndoshta janë të ndikuar nga kushtet që i kanë përpara vetes”, mendon ai. 

Trajneri prishtinas tregon se në këso rastesh futbollistët duhet të pushojnë dy javë, maksimum 20 ditë. Mirëpo, edhe gjatë fazës së pushimit, shton ai, duhet që trajnerët ta kenë programin e ushtrimeve me intensitet më të ulët, për të mos u rikthyer lojtarët e tyre në fazën përgatitore me përgatitje zero. 

Ai këshillon futbollistët që të mos presin, të marrin vetiniciativë dhe të ushtrojnë rregullisht, pasi konsideron se kjo është në të mirë të tyre. 

“I ftoj futbollistët që mos t’i lënë anash ushtrimet, qoftë edhe me vetiniciativë, pasi që pushimi që ua kushtëzojnë klubet është shumë, shumë i gjatë. Udhëheqësit e klubeve mundohen të kursejnë rroga dhe i lëshojnë ata në pushime të stërgjata”, përfundoi Tovërlani. 

Sezoni vjeshtor i Superligës ka përfunduar kah fundi i muajit nëntor, derisa ai pranveror si rrallëkund në botë do të fillojë pas afërsisht tre muajsh, në pjesën e dytë të muajit shkurt. Kjo periudhë mbetet pasive për futbollistët dhe nuk u shkon për shtati aspak atyre. 

Mirëpo, për fat të mirë, një pjesë e mirë e lojtarëve, për të mos mbetur pasivë, këtë periudhë e shfrytëzojnë për ta ruajtur formën, në mënyrë që, kur të fillojnë përgatitjet, të mos i nisin ato nga zeroja. ///gazeta exxpres


Free Web Counter
Free Web Counter