Mziu e Dajaku në Drenicë

Mziu e Dajaku në Drenicë

 Sulmuesi i Trepçës nga Mitrovica, Afrim Mziu, dhe mesfushori i Prishtinës, Taulant Dajaku, kanë arritur marrëveshjen me klubin e futbollit Drenica nga Skenderaj, bën të ditur kryetrajner drenicas, Tahir Lushtaku.

“Në orët e vona të mbrëmjes së hënë kemi arritur marrëveshjen me dy futbollistë të dëshmuar në elitë, Afrim Mziun e Trepçës dhe Taulant Dajakun e Prishtinës. Këta dy futbollistë pritet të prezantohet të mërkurën ose të enjten zyrtarisht ne klub. Dy përforcime të qëlluara që e bëjnë Drenicën shumë më të fortë se sa ishte në vjeshtë në Raiffeisen Superligë”, ka thënë Lushtaku.

Mziu e Dajaku, dy futbollist që u rikthyen pas një kohe në radhët e drenicasve. Duhet shtuar se Mziu në vjeshtë në fanellën e Trepçës ka shënuar tetë gola dhe është i treti në listën e shënuesve të Kosovës.

“Përforcime mund të ketë edhe të tjera, ndërsa me gjasë do të largohet Dukagjin Gashi, që luan në pozitën e mesfushës. Ai gojarisht ka paralajmëruar se do të shkojë në Besë të Pejës, ndërsa zyrtarisht nuk ka asgjë. Nga ana tjetër, do të bisedojmë edhe me Muhamet Dragushën që të vazhdojë kontratën me klubin tonë, që do të forconte edhe më shumë mjedisin tonë”, theksoi trajneri drenicas.

Me 15 janar pritet edhe të fillojnë përgatitjet drenicasit për edicionin pranveror. “Pjesa e parë e përgatitjeve do të zhvillohet në ndonjë vend të përshtatshëm për rreth Skenderajt, kurse në pjesën e dytë pritet të shkojmë në përgatitje jashtë vendit me gjasë në Shqipëri’, tha ai.

Sa i përket kushteve pothuajse është e ngjashme sikurse në vjeshtë. Klubi nuk ka sponsor gjeneral, por ndihmohet ashtu si mundet nga ndonjë sponsor. Lushtaku thotë se pret në pranverë të jenë më të organizuar dhe të paktën të mos kenë telashe me çështje financiare.

Sipas tij, me Mziun e Dajakun, synimet forcohen që të luftojnë për pjesën e epërme të tabelës së klasifikimit. “Me dy futbollistë të spikatur, Mziun e Dajakun, nuk e shoh skuadrën tonë në zonën e rrezikshme, por që do të luftojë edhe për më lartë në renditjen e tabelës së klasifikimit’, nënvizoi Lushtaku.

Drenica pjesën vjeshtore e ka përfunduar në vendin e nëntë të renditjes me 19 pikë dhe është në zonën e rrezikshme për largim nga liga.


Free Web Counter
Free Web Counter