Mungojnë disa futbollistë

Mungojnë disa futbollistë
“Nga kryesia nuk ka asnjë kusht që të fitojmë gjithsesi titullin e kampionit, por atëherë kur më kanë angazhuar trajner qëllimi ka qenë të kthej harmoninë dhe kompaktësinë në klub”, ka thënë Arbnor Morina, trajner i Hysit.

 

Prej skuadrave që e para ka filluar përgatitjet për edicionin pranveror është nënkampioni vjeshtor, KF Hysi nga Merdari, e cila ka përfunduar vjeshtën me 33 pikë dhe ka minus gjashtë pikë nga kryesuesi, Prishtina.Arbnor Morina, trajner tha se përgatitjet shkojnë mjaft mirë dhe stërvitin në ambientet e parkut të Gërmisë dhe të parkut të qytetit në Prishtinë.

Nga java e ardhshme do të intensifikohen stërvitjet dhe do të zhvillohen dy herë në ditë.

“Stërvitim në kushtet çfarë na lejojnë dhe cilat janë tash për tash. Në Merdar nuk stërvitim, pasi fusha është e konservuar tash për tash. Përgatitjet nga java e ardhshme do të zhvillohen dy herë në ditë dhe varet se ku do t’i zhvillojmë, por me gjasë në një fushë sa më të përshtatshme. Punët ecin mirë dhe punohet në pikëpamje fizike, të forcë, taktikisht”, ka thënë Morina.

Disa nga futbollistët nuk janë edhe të rregullt në stërvitje. Disa për shkak të gripit, disa për arsye familjare, ka ndonjë prej tyre që edhe fare nuk është paraqitur në stërvitje.

“Yll Hoxha paraqitet kohë pas kohe, i cili ka pasur gripin, kurse Labinot Osmani pas atij lëndimit të rëndë është kthyer në stërvitje dhe punon aq sa mundet, kurse mentor Zhdrella, futbollisti më i mirë në Kosovë, ka munguar për shkak të arsyeve familjare, e disa të tjerë. Por të gjithë ata që mungojnë janë me arsye me përjashtim që fare nuk është lajmëruar mbrojtësi Bashkim Ahmeti’, nënvizoi ai.

Sa i përket përforcimeve në afatin kalimtar dimëror Morina tha se nuk e kanë ndërmend të sjellin njëherë për njëherë përforcime. “T’i shohim si zhvillohen gjërat kohët e fundit dhe të veprojnë. Nëse ndodh ndonjë futbollist largohet dhe është nevojshme të përforcohem sigurisht se do të veprojmë”, ka thënë Morina.

Mentor Zhedrella ka paralajmëruar largimin nga klubit, por në fakt çka thotë Morina. “Zhdrella do të zgjedh opsionin më të mirë me pronarin e klubit. Ai ka oferta të shumta nga klubet e Zvicrës, Azerbajxhani, Maqedonia, Kroacia etj. Pos Zhdrellës ka oferta edhe për futbollistë tjerë, kjo bënë me dije se çfarë futbollistë kemi të cilësisë së lartë”, tha Morina.

Në muajin shkurt Hysi përgatitjet do t’i zhvillojë jashtë Kosovës, por ende nuk janë përcaktuar në cilin vend. Morina tha se në program kanë edhe pesë ndeshje miqësore për t’i testuar formën e secilit futbollist. Synimet e Hysit, sipas Morinës, nuk janë më çdo kusht trofetë.

“Nga kryesia nuk ka asnjë kusht që të fitojmë gjithsesi titullin e kampionit, por atëherë kur më kanë angazhuar trajner qëllimi ka qenë të kthejë harmoninë dhe kompaktësinë në klub”, theksoi Morina.


Free Web Counter
Free Web Counter