Maliqi arrin marrëveshje me Shkëndijen!?

Maliqi arrin marrëveshje me Shkëndijen!?

 Mesfushori prishtinas konfirmon marrëveshjen njëvjeçare me klubin tetovar, por pret vendimin e klubit. Nënkryetari i FC Prishtina, Muçiqi, tha se asnjë shkresë zyrtare nuk ka ardhur për Maliqin nga Shkëndija. Kjo e fundit e konfirmon lajmin se ka angazhuar Maliqin!

Behar Maliqi, futbollist i dëshmuar i Prishtinës dhe i kombëtares së Kosovës, ka arritur marrëveshjen me kampionin vjeshtor të Maqedonisë, Shkëndijën e Tetovës. Mesfushori bardhëkaltër edhe vet e konfirmoi se ka arritur marrëveshje me tetovarët për një vjet, por e tëra varet se a do të lëshojë apo jo klubi. “Me Prishtinën kam kontratë edhe një vjet e gjysmë. Me Shkëndijën kam arritur marrëveshje dhe sa i përket nesh çdo gjë është e rregulluar. Mirëpo, duhet pritur vendimin e klubit, pra, në fakt do të bisedojnë ndërmjet vete klubet. Nëse me lëshon Prishtina do t’u bashkohem edhe stërvitjeve me skuadrën tetovare’, theksoi Maliqi. Ndërkaq, nga Shkëndija e Tetovës konfirmohet se është siguruar përforcimi i tretë në afatin kalimtar të janarit, duke arritur marrëveshje me mesfushorin Behar Maliqi. 24 vjeçari Maliqi vjen nga skuadra e Prishtinës, ku sezonin e fundit mbante shiritin e kapitenit, ndërsa në karrierën e tij ka luajtur edhe për KEK-un dhe klubin amë Fushë Kosovën. Maliqi është futbollisti i tretë që angazhon Shkëndija në janar, pasi tetovarët paraprakisht siguruan shërbimet e portierit Guxhufi dhe mesfushorit Almeroviq, bënë të ditur mediat shqiptare në Maqedoni. Ndërkaq, Afrim Muçiqi, nënkryetar i FC Prishtina, tha se priten të ulen me drejtuesit e klubit tetovar dhe të bisedojnë. “Deri më tash me asnjë shkresë nuk iu është drejtuar klubit tonë në lidhje me Behar Maliqin. Sigurisht se Prishtina ka rregullat e veta dhe do të kërkojë edhe dëmshpërblim për Maliqin. Dëmshpërblimi nuk do të jetë i panegociueshëm dhe këtë do të bëjmë të ditur ditëve të ardhshme për opinionin tonë. Nëse Shkëndija i plotëson kushte çfarë i kërkojmë ne natyrisht se nuk do të pengojmë kalimin e tij te kjo skuadër’, theksoi nënkryetari i klubit bardhëkaltër.


Free Web Counter
Free Web Counter