Lushtaku: Mbetja në elitë nuk vihet në dyshim

Lushtaku: Mbetja në elitë nuk vihet në dyshim

 Drenica nuk mund të jetë e kënaqur me të arriturat në pjesën vjeshtore të kampionatit, por shpreson që pranvera të jetë më e frytshme. Kuqezinjtë e përfunduan stinorin në pozitën e nëntë me 19 pikë, aq sa ka edhe Vëllaznimi që renditet në pozitën e 10-të. Trajneri i skuadrës nga Skenderaj, Tahir Lushtaku, ka thënë se brenda javës do të fillojnë përgatitjet për stinorin e ri, megjithëse ende nuk dihet data e saktë. “Unë kam planifikuar të fillojmë më 14 janar, por kryesia e klubit do ta mbajë një mbledhje (sot) dhe me siguri do të caktohet edhe data e fillimit të punës”, ka thënë Lushtaku. Për dallim nga disa skuadra tjera, të cilat përgatitjet nuk po mund t’i fillojnë stërvitjet pa i shlyer borxhet ndaj futbollistëve, Drenica nuk e ka këtë problem. “Ne nuk e kemi këtë problem. Futbollistët nuk e kanë marrë vetëm një gjysmë page dhe kjo nuk na kushtëzon për të mos filluar përgatitjet”, ka shtuar Lushtaku.

Skuadra e tij në pranverë mund të paraqitet me disa ndryshime. Pa dyshim që hendikepi më i madh do të jetë largimi i mesfushorit Dugagjin Gashi, i cili sipas së gjitha gjasave do të bashkohet me Besën, ndërsa në dyshim është edhe mesfushori tjetër Muhamet Dragusha. “Ndonëse ende nuk është zyrtare, mund të them se Dukagjini do të largohet nga skuadra jonë dhe duke marrë parasysh cilësitë e tij, atëherë nuk ka dyshim se do të krijohet një zbrazësi në lojën tonë, por do të përpiqemi të gjejmë zëvendësimin adekuat. Ndërkaq, sa i përket Dragushës, gjasat për qëndrimin e tij janë 50 me 50 dhe kuptohet që është vështirë të gjejmë një zëvendësues të denjë të tij”, ka theksuar numri një i bankinës së Drenicës.

Mirëpo, krahas largimeve të mundshme, kuqezinjtë janë duke menduar edhe për përforcime dhe dy futbollistë që mund t’u bashkohen atyre janë sulmuesi Afrim Mziu dhe mesfushori Taulant Dajaku. “Sot kam pasur takim me këta futbollistë dhe kam arritur marrëveshje me ta. Mirëpo, ata fillimisht do të shkojnë në prova në Shqipëri (te Kastrioti i Krujës) dhe nëse nuk mbeten atje, atëherë në stinorin pranveror do të jenë pjesë e skuadrës sonë”, ka shtuar Lushtaku. Janë edhe dy sulmues tjerë që në pranverë mund të luajnë në “Bajram Aliu”. “Jemi të interesuar për sulmuesit e 2 Korrikut, Jeton Llumnicën dhe Semir Ramizin. Së shpejti do të kemi një takim me zyrtarët e skuadrës prishtinase dhe nëse arrijmë marrëveshje, do t’i transferojmë këta dy futbollistë”, ka shtuar Lushtaku, i cili beson se skuadra e tij nuk do të ketë shumë problem për ta siguruar ekzistencën në Raiffeisen Superligën e Kosovës. “Nëse ne ia dalim të përforcohemi me futbollistët e përmendur, atëherë edhe nëse largohen Gashi e Dragusha, besoj se nuk do të vijmë në pozitë të vështirë, aq sa të rrezikohemi për largim nga liga”, ka thënë në fund trajneri i Drenicës.


Free Web Counter
Free Web Counter