Kush do t'i siguroj tani...

Kush do t'i siguroj tani...

Deklarata e sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, që për pranverë nuk ka mjete të paguajnë njësinë Speciale të Policisë për të bërë sigurinë e arbitrave, nuk është pritur mirë nga këta të fundit. Megjithatë, arbitrit si duket janë mësuar me presione të ndryshme, kështu që nuk kanë rrugë tjetër dhe do të pajtohen të referojnë me çfarëdo kushte që ofrohen.

Gjyqtari më i mirë i shpallur për vitin 2010, Përparim Hasani, thekson se me siguri më të madhe do të ishte shumë më lehtë të gjykojnë më mirë.

“Do të ishte shumë më mirë sikur në fushat tona siguria të ishte në nivel. Gjyqtarët do ndiheshin më komodë, nuk do kishte presion dhe këto kishin bërë që ndarja e drejtësisë të jetë më e mirë. Mirëpo, nëse Federata ka vendosur që të mos ketë njësi speciale, atëherë unë jam i gatshëm të referoj edhe pa ata”, tha Hasani, duke rikujtuar se vjeshtën e nisën pa njësi speciale dhe se gjykimi ishte deri diku në nivel.

Në opinion kohëve të fundit është folur shumë se siguria e veçantë që ishte bërë për gjyqtarë është keqpërdorur nga vetë “këmishëzinjtë”, duke e shfrytëzuar për t’iu hakmarrë edhe klubeve edhe lojtarëve nga të cilët më herët kishin probleme.

“Kjo te unë nuk ka ekzistuar e as që besoj se ka ndodhuur edhe te kolegët e mi. Në atë kohë kur ishin prezent policët specialë ka qenë shumë më lehtë të referohet dhe ndëshkimet kanë qenë më të lehta, kështu që të tjerët ndoshta e kanë marrë si hakmarrje e që edhe një herë e mohoi të ketë qenë e vërtetë”, tha Hasani.

Gjyqtari Muhedin Ferati, vlerësoi se kjo është e domosdoshme dhe federata duhet të gjejë zgjedhje pasi që nuk kushton shumë të sigurohen njësit speciale.

“Është e domosdoshme të angazhohen njësitë speciale. Ne para fillimit të kampionatit e kemi një takim me kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrri, dhe do të kërkojmë nga ta të gjejnë zgjidhje. 18 mijë euro kushton një sezon dhe nuk mendoj se janë mjete të parealizueshme”, tha Ferati.

“Unë jam njëri nga gjyqtarët që ka pësuar më së keqi nga këto gjëra, madje edhe isha i therur, por për fat isha në kofshë e jo diku tjetër ku mund ta rrezikojë edhe jetën. Pra as FFK-ja e askush tjetër nuk duhet të lejojë të luhet me jetën e dikujt. Siguria duhet të jetë e mjaftueshme që të kemi një kampionat të mirë”, tha Ferati.

Sa i përket asaj që gjyqtarët po e shfrytëzojnë për përfitime të tyre sigurinë e madhe, Ferati tha se të mendohen gjëra të tilla është çmenduri. “Vetëm ata njerëz që duan të bëjnë presione thonë se gjyqtarët po e keqpërdorin sigurinë. Ne asgjë nuk fitojmë më shumë nga njësia Speciale përveç sigurisë. Andaj nuk besojë e as që duhet të mendojë dikush se siguria duhet të shfrytëzohet për përfitime tjera”, tha Ferati.


Free Web Counter
Free Web Counter