Kur do të zgjidhet çështja financiare?

Kur do të zgjidhet çështja financiare?

 Gjilani vazhdon me fondin e vjetër të futbollistëve, por me synime që të rikthehet në elitën e futbollit. Kryetrajneri Muharrem Sahiti tha se është e domosdoshme që përgatitjet t’i zhvillojnë edhe jashtë Kosovës, sepse mundësitë që të përgatiten futbollistët janë shumë më të mëdha.

“Nëse sigurojmë mjetet financiare sigurisht se do të ishte mirë të shkojmë disa ditë në përgatitje jashtë Kosovës”, ka thënë Sahiti.

KF Gjilani është në vendin e dytë në ligën e parë gjatë stinorit vjeshtor me 29 pikë dhe qëndron minus pesë pikë nga Drita e Gjilanit.

Klubi nuk ka sponsor gjeneral, por aktualisht sponsorohet nga dy individë Fadil Dubova e Murat Hoxha.

“Gjendja financiare nuk është e mirë dhe kemi mjaft telashe. Klubi ndihmohet nga dy njerëz, si Fadil Dubova e Murat Hoxha, të cilët po japin aq sa po munden. Mirëpo, me gjithë kontributin e madh që japin financiarisht këta dy individë sigurisht se klubi i duhet edhe një sponsor i fortë për faktin se kërkesat janë të mëdha”, theksoi Sahiti, duke mbetur me shpresë se edhe kjo çështje do të zgjidhet se shpejti.

Ai si skuadra sfiduese në vazhdim të kampionatit i ka paraparë pos Dritës si rival të qytetit, edhe Lepencin e Kaçanikut, Kosovën e Vushtrrisë, por edhe ndonjë skuadër tjetër. “Synimet janë të qarta: të kthehem në elitë, megjithëse s’do të jetë edhe lehtë, kur kihet parasysh se kemi disa skuadra sfiduese, si Drita, Lepenci, Kosova etj.,”theksoi timonieri gjilanas.

-Fondi i futbollistëve është ai vjeshtës, të cilën e kemi ruajtur, por se besoj se mund të sjellim edhe përforcime. Kemi potencial të mirë futbollistëve, me të cilët mund t’i realizojmë synimet që të futen në elit, shtoi Sahiti.

Liridon Hasani njëri prej sulmuesve më të mirë në ligën e parë pritet të jetë bartës i lojës edhe në pranverë së bashku me futbollistë të tjerë. “Hasani së bashku me futbollistë të tjerë besoj se do të japin kontributin edhe më të madh në pranverë që të arrijmë qëllimet tona. Gjilani është qytet i futbollit dhe e meriton të ketë skuadrën e vet në rangun më të lartë. Realisht me gjithë kushtet e vështira jemi klubi më i organizuar jo vetëm në ligën e parë, por edhe në Superligë shumë skuadra do të ia kishin lakmi skuadrës sonë’, ka thënë Sahiti.


Free Web Counter
Free Web Counter