Kujt si rrihet le të shkojë!

Kujt si rrihet le të shkojë!

 “Nuk e di se çka duan disa futbollistë që janë ‘çuar peshë’. Çka kanë dalë mendsh as vetë nuk e di, sepse në Ballkan disa kanë marrë paga të mira”, ka thënë Besim Kuçi, kryetar i klubit.

Ballkani i Therandës tash e sa ditë është hallakatur dhe askush nuk e di se çka po ndodh me disa nga futbollistët e kësaj skuadre.

Therandasit edicionin vjeshtor e kanë përfunduar në vendin e parafundit (11-tin) me 16 pikë dhe është ndër më të rrezikuarit.

Kryetari i klubit Besim Kuçi, tha se është duke u çuditur se si disa futbollistë bëjnë zhurmë, ankohen dhe kërkojnë të shkojnë në tjera klube. “Si kuptojë disa futbollistë se çka po duan. Kanë marrë pagat më kohë në Ballkan dhe më të mira se në çdo skuadër tjetër elite”, theksoi Kuçi.

Patrik Doçi ka paralajmëruar largimin sikurse edhe Fitim Krusha është në hamendje. Kryetari i klubit thotë se të gjithë ata që duan të largohen u qoftë rruga e mbarë dhe as se ka ndërmend t’i ndalë me zor. “Kujt si rrihet le të shkon. Më mirë se në Ballkan askund nuk mund të gjejnë. Realisht një pagë iu kemi mbetur borxh pikërisht të muajit tetor. Asnjë pagë tjetër nuk i kemi borxh, pos të tetorit, por për t’ia dhënë borxhin e fundit duhet të ulem e të bisedojmë me secilin futbollist. A e di pse bëhet e gjithë zhurmë? Kryesia për stinorin pranveror ka futur në Rregulloren e saj se futbollistët të cilët nuk angazhohen sa duhet do t’i zbritet paga 40 për qind. Tash ata që nuk e kanë dhënë kontributin sa duhet në vjeshtë në fanellën e skuadrës, shikojnë mundësinë të marrin pagën e fundit dhe t’ia mbathin dika tjetër! U kemi thënë futbollistëve se në pranverë janë këto kushte: në rast të fitores së mysafirëve do të kanë premia 100 euro, ose për barazim 50 euro, kurse fitorja si vendase 50 euro. Nëse nuk angazhohen sa duhet, gjobiten me 40 për qind të pagës! Fundja nuk është korrekte disa futbollistë që të shikojnë të marrin paga pa derdhur djersë”, tha Kuçi.

Futbollistin Robert Gjeraj është i liruar nga klubi, ndërsa të larguar janë Driton Luli, Lavdim Hyseni, Bujar Thaçi, ndërsa me Alban Kuçin do të bisedojnë më tutje.

“Kemi shpenzuar mbi 80 mijë euro në edicionin vjeshtor. Bëmë më së shumti shpenzime se klube të tjera dhe kështu që nuk e kemi ndërmend të lutim askënd. Le të shkojnë ku gjejnë më mirë. Qartë u kemi thënë nëse mbesim në ligë, atëherë do t’i merrni pagat ashtu si i kemi me marrëveshje, por jo ta qesin Ballkanin këtë pozitë dhe të kërkojnë para që nuk e meritojnë disa prej tyre”, theksoi ai.

Kuçi tha se janë duke punuar për një organizim edhe më të mirë për pranverë dhe të bëjnë rregull e rend në klub dhe jo kujt t’i teket të çojë kokën!

“Ballkani nuk e ka merituar pozitën e parafundit në bazë të shpenzimeve që kemi bërë dhe kushteve që u kemi krijuar futbollistëve. Ata në vend që të na shpërblejnë me lojëra të mira, ndodhi e kundërta”, ka thënë Kuçi.


Free Web Counter
Free Web Counter