K.F Drita

K.F Drita

 Drita u themelua si SHKA "DRITA" më 1947 me seksionin e dramës, këngës, valleve dhe futbollit. Më vonë KF "DRITA" veproi pavarësisht nga SHKA "DRITA".

KF "DRITA" u themelua nga esnafët, ustallarët dhe qytetarët e vjetër të qytetit.

Futbollistët e parë të klubit stërviteshin në rrethana të jashtëzakonshme dhe në kushte të vështira, pa ushqim; me bukë e pa bukë, si thotë populli, vetëm e vetëm për të arritur sukses. Ata dëshmuan talentin e tyre me vullnetin e pathyeshem të tyre.

Që në fillim ishte halë në sytë e pushtetit komunist, sepse e rivalizonte ekipin tjetër të qytetit, të preferuarën e tyre, "Crvena Zvezda"-n, dhe sepse themeluesit e futbollistët ishin vetëm shqiptarë dhe mbante një« emër shqip që tregonte se populli i këtij qyteti don "DRITË". Andaj, më 1952 ekipi shuhet nga rregjimi. Ish-futbollistët kaluan tek skuadra tanimë multietnike e Zvezdës.

Por, themeluesit dhe futbollistët e parë, apo pinjollët e tyre nuk e harruan asnjëherë Dritën. Në vitet '60 studentët gjilanas në Beograd dhe gjetkë në turne të futbollit të vogël paraqiteshin me emrin "DRITA", derisa më 1977 e riformuan edhe në futboll të madh ekipin dhe dashurinë e tyre të parë. Drita akoma nuk shihej me sy të mirë nga organet jugosllave, dhe për fatin e keq të tyre rastisi që edhe ta mposhte "klubin e dërzhavës", Crvena Zvezdën. Në vitet 1978-87 Drita garon në Ligën e atëhershme Krahinore, gjerësa më 1987 plasohet në Ligën e Parë të Kosovës.

Pas viteve '90 Drita u morr në menagjim nga Selami Osmani - BEZI, me të cilin për 15 vjet arriti majat e futbollit kosovar, duke u shndërruar në ankthin e të gjitha skuadrave kosovare, falë lojtarëve që sillte në Gilan, legjenda e qytetit, BEZI, i cili për 15 vite kontribuoi me tërë qenien e vet për Dritën. Nën menaxhimin e tij Drita arriti të stolisej me titullin e kampionit të Kosovës më 2002-03, të fitojë kupën më 2000-01 dhe të ishte nënkampion më 1999-00 dhe 2001-02. Drita arriti edhe deri në gjysmëfinale më 1999-00, 2001-02 dhe 2002-03. duke thyer rekord kosovar që për katër vite rradhazi nuk zbritën më poshtë se pozita e tretë dhe për katër vite arritën së paku deri në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.

Por, futbolli në Gilan nuk është luajtur nga viti 1947. Gjilanasit e vjetër janë shquar gjithnjë si burra të qejfit e të sportit, andaj që nga fundi i viteve të 10 qyteti ynë ka pasur klubet futbollistike, por të cilat nuk i kanë përballuar kohës. Klubi i parë i qytetit u formua më 1919 dhe u quajt SKG (Klubi Sportiv i Gilanit). Kjo tregon se ky qytet ka traditë në futboll duke pasur ndër klubet e para në Kosovë. Më pas u formuan edhe ekipet tjera të qytetit, si "Slloga", "Konkordija", "Morava", "Graxhanski", "Rapid", etj. Në këto klube luanin bashkarisht shqiptarë, turq dhe serbë. Qyteti ishte i ndarë në tabore. Shpesh ndodhte që ndjenjat e simpatizuesve të sillnin probleme rrugëve të qytetit. Ndodhte që ndeshjet të përfundonin edhe me rrahje të përgjakshme dhe dilte nevoja të intervenonte policia. Edhe gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, ky qytet me dashuri dhe traditë në futboll e formoi një klub të quajtur "Bashkimi" dhe luanin me ushtarët italian.

Themeluesit dhe donatorët e parë të KF DRITA ishin: Usta Ymer Salihu, tenecexhi, Usta Riza Uzunmehmeti, këpuctar, Ahmet Maksuti-Gjakova, tregtar, Hamdi Rexhepi, sarac, Kapllan Ymeri, këpuctar, Shaban Rexhepi-Qerkezi, këpuctar, etj.

Futbollistët e parë të KF DRITA në vitet 1947-52 ishin: Sebush Klaiqi, Ekrem Gjinolli, Jakup Karajashari, Babush Tali, Tefik Hajrullahi, Hasan Rexhepi-Cani, Qazim Klaiqi, Masar Kadiu, Ramiz Shehu, etj.

Karakteristikë e familjeve që themeluan këtë klub është se ato kultivuan nëpër shtëpitë e tyre deri në ditët e sotme, dashurinë për këtë që ishte JETA e tyre. Familjet Osmani, Klaiqi, Salihu, Uzunmehmeti, etj. dhanë për 60 vite shumë-shumë futbollistë, kryetarë, drejtorë, trajnerë, sponsorë, ultrasë, etj. të cilët akoma sot e vazhdojnë me fanatizmin më të madh dashurinë për këtë emër dhe për këto ngjyra: KALTËR-BARDHË, edhe kur ai nuk garon aty ku e ka pasur dhe do ta ketë vendin.


Free Web Counter
Free Web Counter