K.F Ballkani del nga kriza..

K.F Ballkani del nga kriza..

KF Ballkani nga Theranda duket se do t’i lenë pas problemet financiare që e kishin kapluar në fund të stinorit vjeshtor. Nga burime të sigurta merret vesh se bordi i këtij klubi ka siguruar vetëm për stinorin pranveror 110 mijë euro.


Drejtori i këtij klubi Besim Kuqi edhe pse nuk dëshiroi të flas në shifra tha se tani ata nuk e kanë problemin e parave, ndërkaq që kanë llogaritur edhe shpenzimet që do t’i merr rregullimi i stadiumit. “Është e sigurt se ndeshjet si vendas në stinorin pranveror do t’i zhvillojmë në Therandë. I kemi mjetet e mjaftueshme që të përfundojmë punimet e filluara në vitin e kaluar për renovimin e stadiumit. Tani mund të marrim frymë më lirë, pasi kemi siguruar edhe mjete financiare për shpenzimet tjera në klub”, bëri të ditur Kuqi.

 

Kjo skuadër në pranverë pos paraqitjeve në Therandë, do të ketë edhe fytyrë të re në formacionin e skuadrës. Revolucioni në skuadër kishte filluar me të përfunduar stinori vjeshtor kur nga skuadra u larguan gjashtë lojtarë bazë, ndërkaq atyre tani më i është shtuar edhe mesfushori, Fisnik Ramadani. Kuqi e konfirmoi largimin e Ramadanit por tha se adhuruesit e Ballkanit nuk ka nevojë të shqetësohen, pasi do të gjendën zëvendësuesit eventual të futbollistëve të larguar. “Me dëshirën e tij, Fisnik Ramadani është larguar nga skuadra dhe kjo tani më është punë e kryer, edhe nëse nuk gjen angazhim diku tjetër ai më nuk është lojtar i yni”, sqaroi Kuqi. Edhe Ramadani ka konfirmuar largimin e tij duke pohuar se është në bisedime me drejtuesit e Lirisë. “Unë tani jam lojtar i lirë, edhe pse jemi në bisedime me Lirinë asgjë konkrete nuk ka në këtë aspekt. Do të presim në ditët në vazhdim se ku do të vazhdoi karrierën”, tha Ramadani, i cili rrjedh nga shkolla e futbollit të skuadrës therandase.

Mesfushorët prizrenas, Fitim Krusha dhe Patrik Doçi ditë më parë kishin vënë në dyshim mbetjen e tyre te skuadra e portokalltë, por sipas drejtorit, Kuqi, ata tani më janë pajtuar që të vazhdojnë së bashku. “Kemi rënë dakord që të vazhdojmë bashkëpunimin me Krushën, Doçin por edhe me futbollistët ferizajas, Agron Hyseni dhe Mirsad Idrizin. Ndërkaq, mbetët diskutabile edhe qëndrimi i Flamur Kukajt, me të cilin do të bisedojmë në fillim të javës tjetër. Në ditët në vazhdim do të përforcohemi edhe me lojtarë të rinj”, citoi Kuqi.


Free Web Counter
Free Web Counter