Gjinali ka përkrahjen e bordit

Gjinali ka përkrahjen e bordit

 Trajneri i Lirisë, Behajdin Gjinali ka përkrahjen maksimale të drejtuesve të KF Liria, është shprehur drejtori i kësaj skuadre Hatmi Gashi. Sipas tij, bordi i klubit këto ditë ka bërë një analizë të hollësishme të punës së trajnerit dhe skuadrës në përgjithësi për stinorin vjeshtor dhe kanë vendosur që të vazhdojnë edhe në pranverë me Gjinalin në krye të shtabit profesional. “Ne u takuam në mbledhje dhe njëzëri vendosëm që të vazhdojmë me trajnerin Gjinali, i cili kurrë nuk ka qenë në dyshim nga ana jonë”, tha fillimisht drejtori, Gashi. Nga takimi i “bosave” të skuadrës më së keqi e pësoi trajneri i juniorëve të skuadrës, Genc Tamniku, i cili për shkak të rezultateve të dobëta me skuadrën gjatë stinorin vjeshtor është larguar nga detyra e tij e deritanishme. Këtë e konfirmoi edhe drejtori Gashi, duke mos dashur të spekuloi se kush do ta zëvendësoi atë. “Tamniku kishte paraqitje shumë të dobëta, nuk e di si ka ardhur puna deri këtu që juniorët tanë të jenë në pozitën e parafundit, kjo nuk është e drejtë për një skuadër siç është Liria, për këtë shkas vendosëm që të largojmë nga detyra e trajnerit të juniorëve atë. Do të shohim në ditët në vazhdim për zëvendësuesin e Tamnkiut”, tha më pas Gashi. Liria me të përfunduar pjesa e parë e edicionit largoi nga skuadra gjashtë futbollistë, por ata ende janë në pritje të futbollistëve të rinj. Gashi tha se janë në vëzhgim të disa futbollistëve nga Shqipëria të cilët edhe do të arrin me kohë në Prizren. “Janë dy futbollistë nga Shqipëria të cilët jemi duke biseduar me ta dhe të shohim nëse ia dalim të merremi vesh, ata do të na bashkohen me kohë me skuadrën”. Pos këtyre dy futbollistëve, Gashi bëri të qartë se janë një sërë futbollistësh të rinj të Ballkanit të Therandës të cilët vet iu kanë ofruar Lirisë. “Nuk e di çfarë po ngjanë në skuadrën e Ballkanit, por janë disa futbollistë të cilët na u kanë ofruar vetë dhe dëshirojnë të veshin fanellat e klubit tonë. Janë futbollistë të rinj dhe të talentuar por ne nuk dëshirojmë të bisedojmë me ta pa biseduar një herë me drejtuesit e Ballkanit”, tha Gashi duke pohuar se nuk dëshiron ti prish marrëdhëniet me klubin therandas. Në fund Gashi pohoi se stërvitjet për edicionin e ri, Liria do ti filloi me 10 janar dhe deri atëherë skuadra do të jetë e gatshme për trajnerin, Gjinali.


Free Web Counter
Free Web Counter