Gashi shpreson për një stinor më të mirë

Gashi shpreson për një stinor më të mirë

 Mesfushori i Flamurtarit, Shpend Gashi, është shumë optimist se stinori pranveror do të jetë më i mirë për të, duke marrë parasysh se vjeshta nuk ishte shumë me fat. Me skuadrën prishtinase ai u bashkua pas javës së tretë të stinorit në Raiffeisen Superligën e Kosovës. “Që nga mosha 16-vjeçare kam qenë pjesë e Ferizajt, ndërsa sivjet kalova te Flamurtari. Fillimi ishte paksa i vështirë, pasi përveç ambientimit, unë kisha problem edhe me lëndim, kështu që pata nevojë për pak kohë, derisa të stabilizohesha në mjedisin e ri”, ka thënë 22-vjeçari Shpend Gashi. Megjithatë, pjesa e fundit e stinorit ishte më e mirë, në të cilën ai pati mundësi të dëshmohet më shumë. “Në ndeshjet e fundit unë kam qenë rregullisht në përbërjen e parë të Flamurtarit dhe mendoj se e kam arsyetuar besimin që ka pasur trajneri tek unë. Kam luajtur ndaj disa rivalëve shumë të fortë, e kam dhënë maksimumin, duke vënë në plan të parë suksesin e skuadrës dhe jo atë individual”, ka shtuar mesfushori kuqezi. Mirëpo, ai nuk e ka të qartë nëse edhe në pjesën pranverore të kampionatit do të jetë pjesë e Flamurtarit. “Nuk e di nëse do të vazhdoj të luaj me Flamurtarin apo jo. Kjo dilemë do të zgjidhet pas 15 janarit, kur edhe i fillojmë përgatitjet”, ka theksuar Gashi. Ai shpreson që edhe në pranverë të luajë me këtë skuadër. “Dëshira ime është që edhe në të ardhmen të luaj për Flamurtarin, por njëkohësisht dëshiroj që të kem më shumë hapësirë në lojë. Sidoqoftë, besoj se do të arrijmë marrëveshje dhe unë edhe në pranverë të jem pjesë e kësaj skuadre”, ka shtuar Gashi, i cili ka pranuar se i ka disa oferta të tjera, por që nuk dëshiron t’i shqyrtojë para se të flasë me kryesinë e skuadrës aktuale. Ndërkaq, sa i përket renditjes përfundimtare të Flamurtarit, ai parashikon se kuqezinjtë kampionatin do ta përfundojnë ndër pesë-gjashtë pozitat e para. “Pa marrë parasysh se kush do të largohet, apo kush do të bashkohet me këtë klub, jam i sigurt se Flamurtari do ta përfundojë edicionin ndër 5-6 pozitat e para. Këtë e them me bindje të plotë, sepse bëhet fjalë për një skuadër me traditë dhe organizim të mirë, ndërsa është shumë e qartë se janë disa skuadra dukshëm më të dobëta, që do të thotë se nuk ka asnjë mundësi që Flamurtari të gjendet në pozitë për të luftuar për ekzistencë”, ka thënë në fund Shpend Gashi. Stinorin vjeshtor prishtinasit e kanë përfunduar në pozitën e tetë me 20 pikë të tubuara.


Free Web Counter
Free Web Counter