Elvis Osmani, më i miri i Mitrovicës

Elvis Osmani, më i miri i Mitrovicës

  Kampioni aktual në futboll KF “Trepça” është shpallur skuadra më e mirë në qytetin e Mitrovicës në mesin e klubeve të të gjitha sporteve, ndërkohë që, sportisti më i mirë u shpall kapiteni i kësaj skuadre dhe golashënuesi i saj, Elvis Osmani. Komisioni në përbërje: Rafet Prekazi, Bekë Abazi, Fatmir Beka, Musa Begu dhe Sheribane Nuhi, pas analizës së rezultateve të sportistëve mitrovicas, unanimisht vendosi që epiteti i sportistit numër 1 dhe klubit më të suksesshëm t’u jepet Osmanit, përkatësisht Trepçës. Titulli i punëtorit sportiv të vitit i takoi kryetarit të klubit Trepça, Nexhmedin Haxhiu, ndërsa për kontribut të veçantë në sport u shpërblye mjeku i skuadrave të basketbollit dhe hendbollit, Adem Saliaj. Bazuar në rezultatet e arritura dhe punën e palodhshme me klubin e xhudos Trepça, trajner i vitit u shpall ish-kampioni në xhudo, Remzi Begu. Gjyqtari më i mirë i vitit u shpall gjyqtari i futbollit Besnik Sejdiu, ndërsa për mbështetje sportit mitrovicas u shpërblye grupi i tifozëve “Torcida”. Dhjetë shpresave të sportit mitrovicas iu prin atletja me perspektivë, kampionia në disa disiplina, Dea Mustafa, ndërsa ajo pasohet nga basketbollisti Arian Tahiri, xhudisti Blenard Begu, hendbollistja Marigona Smajli, futbollisti Liridon Jonuzi, çiklistja Florentina Maliqi, shahisti Nderim Saraçi, karateisti Egzon Zekiqi, notarja Aurora Saraçi dhe boksieri Fisnik Muharremi. E veçantë e përzgjedhjes së sivjetme të sportistëve më të mirë është radhitja në pozitën e tretë e basketbollistit Jugosllav Dashiq nga KB “Bambi” (hera e parë që nga viti 1999 që një sportist i komunitetit serb zgjidhet në dhjetëshen e më të mirëve), ndërsa në “Top 10” ishin edhe xhudistja Lirona Hoxha, hendbollisti Izedin Nuhi, basketbollistja Arta Mustafa, atleti Fatmir Mehmeti, basketbollisti Imer Tahiri, futbollisti Ibrahim Peci, skiatorja Rita Idrizi dhe boksieri Burhan Zeneli. Titulli i gazetarit sportiv të vitit i takoi Musa Begut nga “Sporti”. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, duke përgëzuar sportistët për rezultatet, e cilësoi vitin 2010 si vit të suksesshëm për sportin mitrovicas. “Rezultatet tuaja dhe prezantimi dinjitoz është fryt i punës së trajnerëve, mbështetjes së vazhdueshme nga donatorët dhe drejtoria e sportit, por mbi të gjitha i angazhimit, djersës dhe punës së palodhshme të sportistëve. Ne synojmë që Mitrovicës t’ia kthejmë namin e qytetit të kulturës dhe sportit, andaj, mbështetja jonë do të jetë e vazhdueshme”, ka thënë kryetari Kastrati. Ndërkohë, sportisti i vitit Elvis Osmani e quajti nder dhe privilegj që mori çmimin “Sportist i vitit në Mitrovicë”. “Titulli sportist i vitit dhe kampion i vendit vjen pas punës së madhe ekipore dhe kurorëzimit me titullin kampion dhe Superkupën e Kosovës. Ai ka peshën edhe më të madhe pasi bëhet në një konkurrencë të madhe, gjë që na motivon dhe obligon edhe për punë më të madhe në ardhmen”, u shpreh Osmani.


Free Web Counter
Free Web Counter