Ejupi: Me shume sport e kulture e me pak politik..

Ejupi: Me shume sport e kulture e me pak politik..

Nuk ka dyshim se të arriturat e Prishtinës në vitin 2010 nuk janë të vogla dhe kjo bën që drejtuesit e klubit më të madh në futbollin tonë të ndihen të kënaqur, por edhe të mburren me rezultate në fushë dhe jashtë saj. Kryetari i klubit Remzi Ejupi e pranon se të gjithë i duan rezultatet e mira dhe pozitën e liderit, por këto nuk ishin synim kryesor i vitit 2010 e nuk do të jenë as në vitin 2011.

“Kuptohet se çdo kush u gëzohet sukseseve të klubit të vet. Sinqerisht, gjeneratat e reja janë prioritet kryesor për të gjithë në klubin tonë.

Vet fakti se skuadra e parë e Prishtinës është përtërirë pothuaj 90 për qind, dëshmon se qëllimi ynë është që puna me të rinj të shkojë mbarë dhe sa më shumë t’u japim hapësirë njomakëve, të cilët premtojnë për një të nesërme më të ndritshme jo vetëm të futbollit prishtinas, por edhe kosovar”, thotë Remzi Ejupi, të cilin nuk e befasojnë rezultatet e vitit 2010, duke thënë se “dihet historia e Prishtinës dhe sukseset e saj, por neve na gëzojnë vetëm ato që i arrijmë në një konkurrencë të fortë e të shëndoshë sportive, por jo kur nuk kemi konkurrencë pasi kjo nuk ndikon mirë as te futbollistët, të cilëve u krijojnë komoditet”.

Kur flasim për të arriturat jashtë fushës, në rend të parë kemi të bëjmë me rregullimin e stadiumit brenda dhe jashtë në mënyrë që tempulli i futbollit kosovar të paktën t’i ngjajë stadiumeve tjera evropiane.

“ Infrastruktura gjithsesi zë vend të veçantë në planet e klubit tonë. Tashmë është duke u punuar në rregullimin e dy fushave të vogla prapa portave, në shtegun rreth fushës, por shpresoj se në pranverë do të rregullojnë tërësisht edhe fushën kryesore si dhe do ta mbulojmë tribunën perëndimore”, thotë kryetari i KF Prishtina.

Kur është në pyetje gjendja në futbolli kosovar dhe puna e drejtuesve të FFK-së, duket se Remzi Ejupi as që ka pritur ndonjë mrekulli.

“Ky është kapaciteti i drejtuesve të futbollit tonë, dhe t’u them të drejtën nuk kam pritur ndonjë ndryshim të madh, pasi nuk mund të pritet mrekulli nga ata që janë në gjumë. A nuk e dëshmon këtë mungesa e Shoqatës së klubeve, trajnerëve, futbollistëve... Vitet kalojnë njëri pas tjetrit, e futbolli stagnon, sepse rezultatet nuk vijnë vetvetiu.

Fatkeqësisht, nuk është më mirë as në segmente tjera, si në politikë, ekonomi etj. Më së shumti më dhimbsen gjeneratat e reja, të cilat po e pësojnë pa fajin e tyre. Çka mund të bëjmë edhe nëse sot pranohemi në UEFA e FIFA.

Drejtuesit e futbollit më shumë bëjnë politikë se sa sport dhe kjo nuk na çon përpara”, thekson Ejupi.

Sa i përket dëshirave për vitin 2011, Remzi Ejup thotë:”Do të dëshiroja që në radhë të parë sporti të depolitizohet dhe që në faqet e para të gazetave të mos shohim vetëm politikë, por më shumë sport e kulturë, për të cilat kemi aq shumë nevojë”.

 


Free Web Counter
Free Web Counter