Drenica jashte rrezikut

Drenica jashte rrezikut

 “Derisa nga skuadra e Drenicës është larguar Dukagjin Gashi, i cili ka shkuar në drejtim të Besës, vendin e tij pritet ta zërë futbollisti i Prishtinës, Taulant Dajaku”, ka bërë të ditur trajneri Tahir Lushtaku.

Fundi i stinorit vjeshtor e gjeti KF Drenicën në pozitën e nëntë në tabelë, me pesë fitore, katër barazime dhe tetë humbje, por trajneri i drenicasve, Tahir Lushtaku thotë të mos mërzitet fare për pozitën aktuale të skuadrës së tij. Edhe pse Drenica është vetëm tri pikë më shumë se vendi i parafundit, pozitë që të shpien në një kategori më të ulët, Lushtaku është i bindur se Drenica gjatë stinorit pranveror do të konsolidohet dhe në fund do të jetë në mesin e renditjes. “Nuk besoi se do të vije puna të luftojmë për ekzistencë, ne në fund do të jemi në mesin e skuadrave të elitës dhe pa problem do të përmbyllim këtë edicion”, u shpreh ai. Timonieri i Drenicës thotë se fillimi i përgatitjeve me vonesë në stinorin vjeshtor ka ndikuar në formën e dobët të skuadrës së tij, por këtë radhë ai thotë të jenë me syçelë për të mos e lënë në ditën e fundit grumbullimin e ekipit. “Tani jemi shumë më të organizuar se vitin e kaluar, dhe besojmë se pos që do t’ia nisim përgatitjeve me kohë, me 15 janar, do të udhëtojmë edhe në ndonjë vend më të përshtatshëm për përgatitje, në Shqipëri”, bëri të ditur Lushtaku. Drenica gjatë stinorit vjeshtor pati shënuar 19 gola përkundër 22 që i pësoi, ndërkaq trajneri, Lushtaku, vazhdimisht kishte potencuar mungesën e sulmuesve në radhët e skuadrës së tij. Ai tani thotë se janë duke bërë përpjekje që të sigurojnë së paku dy futbollistë sulmues, në mënyrë që të mos jenë shterp para portave rivale. “Ne edhe pse kishim mesfushën e mirë, para golit nuk ishim edhe aq efikas, tani jemi në bisedime me disa lojtarë dhe shpresojmë që në fund të sigurojmë shërbimin e dy të tillëve”, tha ai. Pos prurjeve të dy futbollistëve që ia donë goli, te kjo skuadër priten edhe disa ndryshime tjera. Derisa pohon se mesfushori pejan, Dukagjin Gashi tanimë vetëm edhe zyrtarisht pritet të rikthehet te skuadra e Besës, vendin e tij duket se do ta nxë mesfushori prishtinas, Taulant Dajaku për tu rikthyer edhe ai te skuadra amë. “Është e vërtet, Gashi e ka konfirmuar largimin nga radhët tona. Ai këtë vendim e ka marrë për arsye personale pasi si ne ashtu edhe ai ishte i kënaqur me kushtet e këtushme, megjithatë nuk mendoj se do të vërehet shumë mungesa e tij, pasi menjëherë kemi gjetur zëvendësimin, duke kthyer Dajakun në skuadër”, citoi Lushtaku. Ai tha se pret që pos këtij ndryshimi, pjesa tjetër e skuadrës të mbetet e ngjashme. Sipas tij edhe pse mesfushorit Muhamet Dragusha i ka skaduar kontrata me Drenicën, ai do të mbetet në Skenderaj. “Po nuk besoj se do të jetë problem ndalja e Dragushës pasi edhe me të kemi marrëdhënie të mira dhe 99 për qind ai do të jetë lojtar yni, së paku edhe në pranverë në”, përfundoi Lushtaku.


Free Web Counter
Free Web Counter