Besa se shpejti me stadium olimpik..

Besa se shpejti me stadium olimpik..

  Me gjithë kushtet e vështira financiare në të cilat veprojnë shumica e klubeve kosovare në sporte të ndryshme, iniciativa dhe vullneti për të bërë përmirësime nuk mungon. Në këtë drejtim duket se hapin më serioz do ta bëjë skuadra e Besës në futboll, stadiumi i së cilës për një kohë të shkurtë pritet të jetë me pamje krejtësisht tjetër. Kryetari i Besës, Agim Elshani, është shprehur optimist se kjo skuadër shumë shpejt do të ketë kushte shumë më të mira për të zhvilluar aktivitetin e saj. “Jemi të vendosur të bëjmë përmirësime serioze në infrastrukturë dhe tashmë janë bërë hapat e parë. Ka filluar puna në stadium dhe ato do të vazhdojnë me përkushtimin më të madh në mënyrë që sa më shpejt që është e mundur të kemi një stadium modern”, ka thënë Elshani. Parashihet që shpenzimet për këtë projekt të jenë diku rreth gjashtë milionë euro, por për hapin e parë është ndarë një pjesë shumë e vogël e kësaj shume. “Ministria e Sportit i ka ndarë dikur 200-300 mijë euro dhe ka filluar puna për bazamentin e ri. Nuk dëshiroj të flas me shifra, por sigurisht që bëhet fjalë për një projekt gjigant, prandaj edhe shpenzimet do të jenë të mëdha. Sidoqoftë, Besa së shpejti do të ketë stadium modern dhe me të gjitha kushtet që i plotëson një stadium olimpik”, ka theksuar kryetari i skuadrës pejane. Sipas tij, jo vetëm futbollistët do të kenë përfitim nga ky projekt. “Në vazhdën e punëve ne do t’i ndërtojmë edhe zhveshtoret e përkohshme, të cilat më vonë do t’i mbeten atletikës, ndërsa ne do të kalojmë në zhveshtoret e tjera. Kuptohet që stadiumi do të ketë tribuna moderne, shtegun e atletikës dhe gjithçka tjetër që i duhen një stadiumi modern”, ka shtuar numri një i skuadrës pejane, i cili nuk ka dashur të japë një afat të caktuar rreth finalizimit të gjithë këtij projekti. “Unë jam shumë i lidhur me sportin, në veçanti me futbollin. Do të jap maksimumin tim që punët të ecin sa më mirë dhe të përfundohen në afat sa më të shkurtë kohor”, ka thënë Elshani. Ndërkohë, ai ka thënë se Besa nuk do të ketë shumë ndryshime në fondin e futbollistëve për stinorin pranveror. “Nuk kemi nevojë të bëjmë ndryshime të mëdha. Sigurisht se me ne do të bashkohet Dukagjin Gashi dhe me këtë përforcim do të jemi të kompletuar”, është vlerësimi i Elshanit. Stinorin vjeshtor Besa e ka përfunduar në pozitën e tretë me 26 pikë të tubuara, por kryetari i saj beson se nuk është e pamundur të “shkrihet” epërsia e skuadrave kryesuese. “Është e vërtetë që Prishtina ka krijuar një përparësi të dukshme (13 pikë), por kampionati është i gjatë dhe unë besoj në potencialin tonë, megjithëse nuk jemi shumë të preokupuar me titullin e kampionit. Sidoqoftë ne jemi seriozë dhe do të garojmë deri në fund me frymë sportive”, ka thënë në fund Agim Elshani.


Free Web Counter
Free Web Counter