Besa ka forcë për trofe

Besa ka forcë për trofe

  “KF Besa është njëra ndër skuadrat më stabile në vend. Ia kemi dalë që me fond jo shumë të madh të futbollistëve të renditemi në pozitën e tretë. Shpresojmë që në fund të fitojmë njërin nga trofetë’, tha Valdet Shoshi, trajner.

Besa e Pejës stinorin vjeshtor e ka përmbyllur në pozitën e tretë të renditjes tabelare, me 26 pikë të tubuara, pas shtatë fitoreve dhe pesë barazimeve e po aq humbjeve. Me këtë bilanc një pozitë më poshtë renditet Liria, por pejanët janë më lart vetëm në saje të goldallimit më të madh. Megjithatë trajneri i skuadrës së Besës mburret me rezultatet e arritura gjatë pjesës së parë të edicionit, ndërkaq shprehet se me prurje të reja Besa do të mund t’ia del të rrëmben njërin nga trofetë. “Nëse i shikojmë fondet e përbërjeve të skuadrave tjera ne duhet të jemi të kënaqur me arritjen e pozitës së tretë në renditje. Nuk është turp të jemi pas Prishtinës dhe Hysit, pasi ata kanë një sërë futbollistësh në formacionet e tyre dhe kanë zgjedhje më shumë se ne. Gjithashtu duhet theksuar se jam i kënaqur që jemi para Lirisë edhe pse vetëm falë goldallimit, mandej mos të harrojmë se edhe Ballkani i Therandës ka pasur futbollistë të dalluar por nuk ia doli të jetë para nesh. Janë këto fakte që na bëjnë të ndihemi mirë me rezultatet e arritura në vjeshtë”, tha fillimisht trajneri, Shoshi. Timonieri pejan më pas shtoi se skuadra të cilën ai e drejton ka nevojë edhe për dy tre futbollistë me përvojë në skuadër. ‘Na duhet patjetër që të sigurojmë shërbimet e një futbollisti sulmues, i cili do të zgjidhte problemin para portave rivale. Por kryesisë ia kam parashtruar edhe kërkesën e një futbollisti që duhet të na ndihmojë në qendër të mbrojtjes”, tha më pas Shoshi. Ky i fundit shprehet optimist se skuadrën të cilën ai e drejton do ti bashkohet gjatë afatit kalimtar, pejani, Dukagjin Gashi, i cili stinorin e fundit mbrojti ngjyrat e Drenicës. Sipas Shoshit ai vetëm ia ka dhanë fjalën drejtuesve të klubit pejanë që të mbrojë ngjyrat e Besës në stinorin vijues. “Është e sigurt se bisedat mes Gashit dhe kryetarit të klubit kanë qenë të frytshme. Dhe me sa e di unë ai vetëm ia ka dhanë fjalën kryetarit që në pranverë do të jetë pjesë e Besës. Megjithatë derisa nuk është arritur marrëveshja zyrtare mbesim të presim. Në rast që Gashi bëhet pjesë e ekipit atëherë nuk besoi se duhet të mendojmë për ndonjë sulmues tjetër” bëri të ditur Shoshi. Më pas ai tha se futbollistët e Besës pushimet do ti vazhdojnë deri me 10 janar, kur edhe është caktuar data e grumbullimit të skuadrës. “Deri me 10 janar jemi në pushim, atëherë do të jetë takimi i parë me futbollistë dhe në bazë të marrëveshjes me kryesinë duhet të vendosim edhe për vendin se ku do të vazhdojmë të stërvitemi për pjesën pranverore”, tha në fund Shoshi, i cili tha se pretendon që pos përforcimeve eventuale në skuadër të ruajë ata futbollistë që ishin pjesë e Besës në vjeshtë./ Alban Lumi


Free Web Counter
Free Web Counter