Berisha pret të sqarohet me Hysin...

Berisha pret të sqarohet me Hysin...

 Sulmuesi Elhami Berisha pret të fillojë përgatitjet për edicionin e ri pas një periudhe pothuajse më shumë se gjashtë muaj jashtë fushës. Berisha gjatë stinorit vjeshtor nuk është paraqitur në asnjë ndeshje në fanellën e Hysit nga Merdare për shkak të lëndimit të gjurit të këmbës së djathtë, i cili u desh t’i nënshtrohet edhe operimit në Austri.

“Këmba më është shëruar plotësisht dhe mezi po pres që të filloj përgatitjet për edicionin e ri”, tha Berisha.

Sulmuesi ka kontratë edhe një vjet në klubin e Hysit, por si duket nuk e ka ndërmend t’i fillojë përgatitjet pa u sqaruar fije e për pe me drejtuesit e klubit bardhë e zi.

“Njëherë do të ulem me drejtuesit e KF Hysit dhe do të sqaroj në detaje çështjen e kontratës. Ka disa detaje që janë të pasqaruara dhe besoj se do të arrihet kjo në pajtueshmëri të ndërsjellë”, theksoi ai.

Hysit ky sulmues i ka munguar shumë në stinorin vjeshtor, por shpresojnë të kthehet me sukses në fushë. Berisha bënë me dije se është rekomanduar nga mjeku që të fillojë përgatitje pa ndonjë problem, por assesi të zhvillojë ndeshje miqësore deri në muajin mars, ku pritet t’i jepet edhe leja speciale. “Mjeku më ka thënë se nuk do të kem më probleme me këmbën dhe mund të stërvit pa telashe. Ai më ka rekomanduar që në fillim të marsit të bëj edhe një kontroll dhe të më lëshohet edhe leja speciale që të futem në lojë”, tha Berisha.


Free Web Counter
Free Web Counter