Liga Dimërore, shpëtim për Superligën

11/12/2010 16:47


Përderisa federatat më të njohura evropiane në futboll, si ajo e Gjermanisë, Francës e të tjera kanë edhe Ligën e futsallit për ekipet e futbollit, ku lojtarët gjatë pushimit përfitojnë në këtë mënyrë duke ruajtur formën, në Kosovë ndodh krejt diçka tjetër.

Ekipet e Superligës dhe Ligës së Parë pas përfundimit të stinorit vjeshtor bëjnë pushimin e stërzgjatur, duke ‘fjetur’ për më shumë se dy muaj dhe nuk ‘zgjohen’ deri para fillimit të stinorit pranveror, duke filluar përgatitjet nga zero.

Me këtë rast, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se edhe më parë ka pasur iniciativë për të krijuar të paktën turne në futsall, që lojtarët të kenë mundësi të ruajnë formën. “Ne kuptojmë se është një pushim shumë i gjatë.

Mirëpo, dy vjet më parë kemi pasur një iniciativë për të krijuar turne tradicional në futsall, por klubet janë ato të cilat asnjëherë nuk kanë shprehur gatishmërinë të interesohen për një gjë të tillë”, thotë Salihu, duke i kritikuar trajnerët, që sipas tij, ‘frikohen’ se mos po iu lëndohen lojtarët. Sipas tij, FFK është e gatshme në çdo kohë të organizojë diçka të tillë, por fillimisht klubet duhet të jenë iniciatorë për këtë.

Prishtina përkrah çdo iniciativë

 

Nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi, ka thënë se klubi i tij është i gatshëm të përkrahë çdo iniciativë të FFK-së, teksa e ka konsideruar si të nevojshme mbajtjen e një turneu obligativ të futsallit për ekipe të futbollit gjatë pushimit. “Edhe pse Prishtina është skuadra e vetme kosovare që bën pushim më së paku, do të ishte shumë e mirëseardhur mbajtja e ndonjë turneu obligativ në futsall apo të krijohet edhe Liga, në mënyrë që lojtarët e ekipeve tjera të kenë mundësi të ruajnë formën”, theksoi Muçiqi.

 

Pushim i stërzgjatur

 

Trajneri i Trepçës, Nazmi Rama, ka vlerësuar se organizimi i Ligës apo edhe ndonjë turne në futboll të vogël gjatë pushimit, do të ishte mënyra më e mirë që lojtarët të ruajnë formën gjatë pushimit të stërzgjatur. “Mjerisht është duke vazhduar avazi i vjetër që ekipet të pushojnë me muaj të tërë. Pikërisht, mënyra më e mirë për t’i ikur kësaj është organizimi i Ligës apo edhe i turneve të ndryshëm. Ndërkohë, mendoj se arsyeja e vetme që një gjë e tillë nuk është bërë deri tash, janë kushtet jo të mira të ekipeve”, thotë Rama. Ndërkaq, edhe kapiteni i Lirisë, Rafet Mullallari, shprehet se është e patjetërsueshme formimi i Ligës.


Free Web Counter
Free Web Counter